“Dashuria është përgjigjja” Në kërkim të së vërtetës përmes “Inkuizitorit të Madh”

Njeriu çdo gjë që sheh përreth tij e lidh me veten. Brenda vetes ai bën edhe provën e vërtetësisë. Modelet, ngjarjet, personazhet, konfliktet, madje edhe historitë që duken shumë larg nesh në kohë e në hapësirë, në një moment të caktuar bëhen papritur të afërta. Shohim diçka tonën aty, diçka të përjetuar ose të ngjashme me atë që kemi përjetuar dhe, pikërisht atëherë, kuptojmë se ajo histori na përket edhe neve.

Sa e sa herë kemi dëgjuar për konflikte midis njerëzve të afërt, midis familjarëve, pa mundur të kuptojmë se çfarë “gjëje” është futur në mes tyre për të mbjellë urrejtjen? Nëse nuk do ta vendosnim veten brenda këtyre konflikteve, ato ndoshta do të na dukeshin të pakuptimta, madje edhe paksa të mërzitshme. Por sapo fillojmë të reflektojmë mbi to sikur të ishin tonat, ato marrin një tjetër kuptim.

Ky reflektim është i rëndësishëm për të kuptuar jo vetëm të tjerët, por edhe veten dhe botën ku jetojmë.

Dhe pikërisht këtë bën Dostojevski. Përmes personazheve të tij ai na vendos përballë vetes. Na jep konfliktin, dyshimin, rebelimin, vuajtjen, besimin dhe dashurinë, jo si koncepte të largëta, por si gjendje njerëzore që mund të gjenden brenda secilit prej nesh.

Teatri e bën këtë proces edhe më të drejtpërdrejtë. Në letër ne lexojmë, imagjinojmë dhe ndërtojmë në mendje botën e autorit. Në skenë ajo botë merr imazh dhe zë. Personazhet dalin nga faqja dhe qëndrojnë përballë nesh. Për disa çaste na duket sikur nuk jemi më vetëm spektatorë, por sikur jemi futur brenda historisë.

Kështu, një ngjarje që në pamje të parë i përket një familjeje ruse mund të ndodhë, në thelb, në çdo cep të botës. Nuk është e rëndësishme vetëm të kuptojmë ngjarjen, as të gjejmë fajtorin. Më e rëndësishme është të kuptojmë ato gjëra që kanë mbetur të pandryshuara tek njeriu dhe që, pavarësisht kohës, ende nuk kemi mundur t’u gjejmë përgjigjen e vërtetë.

Dostojevski përpiqet ta bëjë këtë provë të së vërtetës duke e vendosur atë jo më vetëm tek njeriu, sepse atë provë e bëjmë ne si lexues apo spektatorë, por duke e vendosur përballë modelit më të lartë që njerëzimi njeh: Jezu Krishtit.

Edhe detajet, në këtë botë, nuk janë thjesht detaje. Ato marrin peshën e simbolit. Përsëritja e tyre me numrin tre duket se nuk është rastësi, por pjesë e një strukture më të thellë ku gjithçka kthehet dhe merr një tjetër kuptim.

Më duhet të them se nuk e pata lexuar më parë “Vëllezërit Karamazovë” dhe, ndoshta pikërisht për këtë arsye, i besoj shumë përshtypjes së parë. Aty ku vëmendja është maksimale ndaj çdo detaji, edhe atij që në pamje të parë mund të duket i parëndësishëm.

Molla është një prej këtyre detajeve. Si simbol i “ngrënies” së së keqes nga njeriu, ajo shfaqet tri herë. Herën e parë në konfliktin e babait me Dimitrin, herën e dytë te kapiteni gjatë festës rinore përreth Jezusit dhe herën e tretë në duart e Inkuizitorit.

Por përballë mollës që duket se simbolizon pranimin e së keqes, qëndron trëndafili, si simbol i shpresës dhe i shpëtimit. Ai shfaqet fillimisht gjatë tregimit të të dashurës së Dimitrit, pastaj është vetë Dimitri ai që ia dhuron asaj dhe, në fund, është djali i vogël që e dhuron trëndafilin në ngjarjen e Seviljes.

Nëse “molla e sherrit” hahet nga personazhet, “trëndafili i shpresës” dhurohet prej tyre.

Dhe ndoshta këtu fillon një nga dallimet më të mëdha: e keqja mund të merret, të përvetësohet, të ushqehet brenda nesh; ndërsa shpresa, dashuria dhe e mira duhet të dhurohen.

Dostojevski e përshkruan njeriun pa e paragjykuar. E pranon atë ashtu siç është: me të mirën dhe të keqen të vendosura thellë brenda tij, duke ndërruar natyrshëm vendet. Njeriu nuk është vetëm i mirë dhe as vetëm i keq. Ai është përherë në një përpjekje të vështirë mes këtyre dy poleve.

Në gojën e Dimitrit vendoset pikërisht kjo përpjekje sizifiane e njeriut. Brenda vetes janë dy njerëz njëherësh: njëri kërkon të bukurën, të mirën, faljen dhe dashurinë, ndërsa tjetri tërhiqet drejt epsheve të jetës që e fundosin në baltë.

Megjithatë, brenda njeriut ekziston edhe një forcë e panjohur. Një forcë që, gjatë përpjekjes për t’u ngjitur lart, na bën të besojmë tek ai njeri i parë. Tek ai që kërkon të bëhet më i mirë.

Dhe pikërisht këtu vjen një tjetër paradoks i fuqishëm: Dimitri, sa më shumë e urren të atin, aq më shumë kupton se i ngjan atij.

Ndoshta ky është edhe një nga dënimet më të vështira të njeriut: të zbulosh tek vetja atë që ke urryer tek tjetri.

Tri janë edhe djemtë dhe tri janë, në njëfarë mënyre, rrugët që ata përfaqësojnë.

Djali i madh, Dimitri, është ai që rebelohet ndaj babait. Është ai i forcës, i qëndresës, i përplasjes. Një figurë që mund ta gjejmë që në zanafillën e njeriut dhe në religjion, në largimin e Kryeengjëllit prej Parajsës.

I dyti është ai që qëndron më indiferent, që nuk përfshihet drejtpërdrejt, por kërkon të vërtetën përmes njohjes dhe reflektimit. Është ai që bën monologun e gjatë mbi vuajtjet e fëmijëve dhe ai që ka shkruar një libër mbi rikthimin e Jezusit në Sevilje.

I treti dhe më i vogli duket se është ai që përpiqet më shumë se të gjithë të bashkojë familjen dhe që i është përkushtuar besimit në Zot. Ai pranon “sakrifikimin” dhe arrin ta gjejë përgjigjen edhe tek libri i shkruar prej vëllait të mesëm.

“Dashuria është përgjigjja.”

Dhe këtu tri karakteret e vëllezërve fillojnë të mos na duken më vetëm si karaktere të një familjeje. Ato bëhen karaktere të vetë njeriut. Janë tri mënyra me të cilat ne përpiqemi të gjejmë rrugën tonë: përmes forcës dhe qëndresës, përmes njohjes dhe reflektimit, ose përmes besimit dhe dashurisë. Cilin prej tyre zgjedhim të ndjekim?

Dostojevski duket se përpiqet të na tregojë një udhë. Nuk është vetëm forca dhe qëndrimi i djalit të madh. Nuk është vetëm njohja dhe reflektimi i djalit të mesëm. Është besimi dhe dashuria e djalit të vogël ajo që, sipas kësaj leximi, na çon drejt së Vërtetës.

Dhe në këtë pikë shfaqja nuk mbetet më vetëm një përshtatje skenike e Dostojevskit. Ajo bëhet një pyetje për ne.

Sepse edhe sot, në një botë ku njeriu ka fituar shumë dije, shumë mjete dhe shumë fuqi, pyetja e vjetër vazhdon të mbetet po ajo: çfarë na bën njerëzorë?

Dua të ndalem edhe te puna e trupës së aktorëve, sepse ajo meriton një vëmendje të veçantë.

Puna e tyre është tejet e arrirë dhe, mbi të gjitha, ndihet përkushtimi i tyre ndaj çdo vështirësie që një shfaqje e tillë mbart. Ka vështirësi që spektatori nuk i sheh kurrë. Janë ato që ndodhin në prova, në ndërtimin e personazhit, në përpjekjen për të kuptuar psikologjinë e tij dhe pastaj për ta bërë atë të besueshëm përballë publikut.

Rolet psikologjike, veçanërisht kur bëhet fjalë për personazhe të ndërtuara nga një mjeshtër si Dostojevski, janë jashtëzakonisht të vështira. Nuk mjafton të thuash tekstin. Duhet të përballosh brenda vetes konfliktin e personazhit dhe pastaj t’ia përcjellësh atë spektatorit.

Nuk dua të ndalem në emra, sepse dua t’i përgëzoj të gjithë një nga një. Si një spektator që i kushton vëmendje edhe detajit, kam shijuar dhe kam marrë emocione prej secilit prej tyre. Secili ka sjellë diçka të vetën në skenë dhe, mbi të gjitha, ka kontribuar që personazhet të mos mbeten thjesht figura të një teksti të madh letrar.

Aktorët nuk kanë pasur përballë një material të lehtë. Përkundrazi, kanë pasur përballë Dostojevskin, një autor ku personazhi nuk mund të kuptohet vetëm nga ajo që thotë, por edhe nga ajo që fsheh, nga ajo që dëshiron, nga ajo që mohon dhe nga ajo që nuk arrin ta thotë.

Prandaj puna e tyre më duket edhe më e rëndësishme.

E kam thënë edhe më parë dhe tani kjo bindje po më forcohet: kjo trupë, së bashku me regjisorin, po krijon një traditë të mirë të një niveli të lartë shfaqjesh. Dhe kjo është diçka që duhet vlerësuar, sidomos kur bëhet me një buxhet modest, por me shumë mundim, pasion dhe përpjekje.

Në fund të fundit, teatri nuk është vetëm çështje buxheti. Është çështje përkushtimi, pune dhe besimi tek ajo që po bën.

Madje, për mua, ka edhe një tjetër dëshmi: kur një trupë aktorësh arrin të të bëjë të mendosh për personazhet edhe pasi ke dalë nga salla, atëherë puna e saj nuk ka përfunduar me uljen e perdeve. Shfaqja vazhdon brenda teje.

Dhe ndoshta ky është suksesi më i madh i teatrit.

Nëse do ta mbyllja ashtu siç u mbyll edhe shfaqja, do të thoja:

Dashuria është përgjigjja.

Leave a comment