Kap.1 Çohu në këmbë, z. Kryeministër

Mori spunto nga: Ndihma me grurë, e cila na u paraqit si akt shpëtimi, në të vërtetë është një litar që na tërhiqet përditë në qafë.

Në historinë e këtij vendi, gjithmonë ka pasur njerëz që janë përkulur, kanë shitur e kanë tregtuar dinjitetin kombëtar për një grusht gruri, një kurorë vasaliteti apo për pak pushtet të përkohshëm. Sot, fatkeqësisht, kjo skenë po përsëritet.

Z. Kryeministër, shumë je ulur. Dhe kur ulesh përballë Serbisë për të bërë tregti me urinë e popullit tënd, nuk ngrihesh më as si burrë, as si përfaqësues i këtij kombi. Çdo thes gruri që këmbehet për vota, projekte apo interesa të ngushta politike, është një tjetër zinxhir i varur në qafën e Shqipërisë.

Nuk ka krenari kur një popull shitet për një thes mielli. Nuk ka sovranitet kur vetë qeveria hap dyert e varësisë ndaj një shteti që dje derdhi gjakun e shqiptarëve dhe punoi për ta përçarë kombin tonë. Një shtet nuk humbet vetëm kur pushtohet me armë; ai humbet edhe kur mësohet të shtrijë dorën dhe ta quajë nder atë që në të vërtetë është varësi.

Ndihma me grurë, që sot paraqitet si akt shpëtimi, nuk është gjë tjetër veçse një litar që na shtrëngohet çdo ditë e më shumë rreth qafës. Popujt krenarë nuk e ndërtojnë të ardhmen mbi borxhe morale dhe as mbi mirënjohje të imponuar. Këto marrëveshje mund të realizoheshin me vende të tjera, me kushte më të favorshme dhe pa e vendosur Shqipërinë në pozitën e një pengu politik ndaj Beogradit.

Por ju keni zgjedhur një rrugë tjetër. Keni zgjedhur ta shihni shpëtimin te një “shpëtimtar” i rremë, duke harruar se interesat e përkohshme politike nuk mund të peshojnë më shumë se kujtesa historike e një kombi. Dhe ndërsa afroni dorën drejt atyre që dikur goditën shqiptarët, ndaj Kosovës – vëllait tonë të gjakut, sakrificës dhe historisë – shfaqni ftohtësi, grindje dhe një distancë që nuk mund të justifikohet as me diplomaci e as me pragmatizëm politik.

Historia nuk fal. Po të ishte hera e parë, ndoshta do të na dukej një gabim politik. Por ky vend i ka parë me dhjetëra tregtarë flamujsh. Esad Pashë Toptani që shiti Shkodrën; Ahmet Zogu që dorëzoi Shën Naumin; Enver Hoxha që sakrifikoi Kosovën në emër të pushtetit; Sali Berisha që shkatërroi: arsimin, rendin, mjekësinë, sistemin e drejtësisë, ekonominë e ushtrinë. Të gjithë u radhitën në faqet e zeza të historisë, aty ku shkruhen emrat e atyre që e përdhosën Shqipërinë. Dhe sot, z. Kryeministër, ju po ecni në të njëjtën rrugë.

Arroganca juaj e shfaqur hapur, bindja se disa media të blera dhe ndonjë koncert bombastik me taksat tona do të mjaftojnë për të mbuluar vasalitetin, është një iluzion i rrezikshëm. Populli shqiptar mund të ketë duruar varfëri, krizë dhe mjerim, por nuk do të pranojë kurrë që dinjiteti të shitet për grurë.

Një komb nuk jeton vetëm me bukë. Ai jeton me kujtesë, me krenari dhe me aftësinë për të mos harruar se kush i qëndroi pranë dhe kush e përdori për interesat e veta. Kombet që harrojnë historinë, përfundojnë duke e përsëritur atë. Dhe kur politika fillon të ndërtojë ura mbi harresën e gjakut dhe sakrificës, atëherë rrezikon të shembë themelet morale të vetë shtetit.

Shqiptarët nuk kanë nevojë për një udhëheqje që kërkon shpëtim te varësia. Ata kanë nevojë për një shtet që ngrihet në këmbë, që negocion me dinjitet dhe që nuk e përdor varfërinë e qytetarëve si justifikim për të ulur kokën. Pushteti është i përkohshëm, por pasojat e vendimeve të tij mund të rëndojnë mbi breza të tërë.

Prandaj, z. Kryeministër, mos luani me urinë e këtij vendi. Mos e shisni Shqipërinë për projekte që e rikthejnë Ballkanin në orbitën e Beogradit. Sepse nëse vazhdoni kështu, historia nuk do t’ju kujtojë si reformator, por si një tjetër zvarranik në librin e zi të atyre që vendosën interesin personal mbi interesin kombëtar.

Dhe mos harroni: nuk është pushteti ai që e gjykon historinë, por historia ajo që gjykon pushtetin. Karriget boshatisen, flamujt mbeten. Emrat e udhëheqësve zbehen, por veprat e tyre shkruhen me bojë që nuk fshihet. Në fund, çdo brez pyet vetëm një gjë: a e ngrite vendin tënd më lart, apo e ule për interesin tënd?

Çohu në këmbë, nëse ende ke pak dinjitet. Dhe nëse jo, atëherë rrini përdhe, aty ku gjithmonë kanë përfunduar tregtarët e flamujve.

Sepse një popull mund të falë gabimet, mund të durojë varfërinë dhe mund të kapërcejë krizat. Por nuk fal kurrë ata që e shesin nderin, kujtesën dhe të ardhmen e tij. Kur të shuhet zhurma e propagandës dhe të mbarojë duartrokitja e oborrit, do të mbetet vetëm gjykimi i historisë. Dhe historia ka qenë gjithmonë e pamëshirshme me ata që, në çastin kur duhej të ngriheshin në këmbë për vendin e tyre, zgjodhën të përkulen.

                                    15 mars 2022

Nga Andrea Tarka  

Leave a comment