Prej Liqenit të Dritës drejt Qytetit të Diellit.

Një udhëtim mes kujtesës dhe së tashmes, mes asaj që duket dhe asaj që fshihet pas saj. Një udhëtim që nis nga thellësitë e një “liqeni shpirtëror” dhe vjen deri këtu, në Durrës, për t’u takuar me Detin dhe me ne.

Arti është gjithmonë një udhëtim i brendshëm, një kërkim përtej dukjes së parë, ku imazhet shndërrohen në kujtesë dhe reflektim. Në këtë udhëtim, imazhe të veshura me ngjyra qëndrojnë disi të fshehura, paksa të ndrojtura, sikur presin të zbulohen. Pikturat mbi cohëra, që në shikim të parë mund të duken të zbehura, japin ndjesinë se janë të zhytura nën ujë. Aty ku pamja bëhet më e vështirë për t’u parë dhe kuptuar, kupton se ajo është zhytur edhe më thellë, në thellësitë e “liqenit shpirtëror” të artistit. Përballë tyre nevojitet të ndalemi, të zhytemi paksa, të shohim më gjatë, për të pasur një pamje më të qartë të asaj që fshihet pas ngjyrës dhe imazhit.

Genti duket se luan me kohën. Me imazhe që shkojnë drejt kohërave të harruara, por që, në të njëjtën kohë, kanë edhe një zgjatim drejt modernes. Janë si legjenda, veçse jo të treguara me fjalë, por të pikturuara në cohëra apo të gdhendura në dru. Legjenda jo të plota, që kanë mbijetuar nëpër kohë dhe që, sa më shumë t’i shohësh, aq më të gjalla bëhen. Ndoshta pikërisht këtu qëndron edhe një nga veçantitë e këtij arti: ajo që në fillim duket e largët dhe e zbehur, pak nga pak fillon të marrë jetë përpara syve tanë.

Arti i Gentit është edhe një kërkim mbi identitetin e këtij kombi, i cili po jeton ditë të vështira, aq sa ndonjëherë duket sikur ka zënë vend në honet e harruara të së kaluarës. Në një kohë që lëviz me shpejtësi, ku gjithçka ndryshon dhe konsumohet pothuajse menjëherë, arti dhe vetë artisti qëndrojnë të palëvizshëm në qendër të kësaj vorbulle komerciale dhe konsumiste.

Ky art është një vazhdimësi që rrjedh pa ndryshuar në thelb, njësoj siç qëndron Mali i Thatë me sytë nga Liqeni i Dritës. Është një lidhje me vendin, me kujtesën dhe me ato gjurmë që koha nuk arrin t’i fshijë plotësisht. Dhe prej atij peizazhi shpirtëror ku janë mbledhur këto imazhe, Genti tani vjen për t’i bërë një vizitë Detit, ku ka edhe mjaft miq të mirë.

Këtë ekspozitë e mirëpret një galeri që mban një emër të njohur të artit durrsak, Galeria “Nikolet Vasia”. Një emër që qëndron si një gurëz i ҫmuar në mozaikun e Artit durrsak. Dhe ndoshta nuk është rastësi që këto piktura, të ardhura nga një liqen i brendshëm dhe i heshtur, të ndalen tani pranë Detit. Sepse edhe arti, ashtu si uji, ka nevojë të udhëtojë, të gjejë brigje të tjera dhe të takohet me njerëz të tjerë.

Mirë se erdhe në Durrës, Genti. Dhe mirë se erdhën këto imazhe të tua, që nga thellësitë e një liqeni shpirtëror kanë ardhur për të takuar Detin.

Leave a comment