Modelimi i njeriut me anë të informacionit

Sot jetojmë në një kohë ku fjalë si “info” apo “informacion” përdoren pa ndërprerje, pothuajse mekanikisht, pa u ndalur për të reflektuar mbi peshën reale që mbartin. Janë bërë pjesë e gjuhës së përditshme, por jo domosdoshmërisht edhe e ndërgjegjes sonë. Fjala “informare”, me prejardhje nga latinishtja përmes italishtes, mbart një kuptim shumë më të thellë sesa përdorimi i saj i zakonshëm: “të japësh formë”, “të modelosh”, “të ndërtosh nga brenda”. Pra, informimi nuk është thjesht dhënie e të dhënave, por një proces formësimi i brendshëm.

Në këtë kuptim, çdo informacion që marrim nuk është neutral. Ai ndërton, ndikon, orienton dhe në fund formëson atë që jemi. Nëse informacioni do të ishte i njëjtë për të gjithë, atëherë edhe mendimet, bindjet dhe mënyra e të qenit do të uniformizoheshin. Do të humbiste individualiteti dhe me të edhe thelbi i qenies njerëzore: unikaliteti. Nëse informacioni është i mirë – i vërtetë, i dobishëm dhe i thellë – ai ndërton një njeri të qëndrueshëm dhe të vetëdijshëm. Por nëse është i shtrembëruar apo i cekët, ai krijon një realitet të rremë që shpesh pranohet si i vërtetë.

Nëse kthehemi pas në kohë, gjejmë një nga mesazhet më të fuqishme të historisë njerëzore: “Njih vetveten”, i skalitur në Orakullin e Delfit. Ky mesazh nuk flet për informacionin që vjen nga jashtë, por për atë që lind nga brenda. Është një thirrje për reflektim, për vetëdije dhe për autenticitet. Në këtë perspektivë, “informare” nuk do të thotë të ndryshosh thelbin e njeriut, por ta ndihmosh atë të zbulojë formën e vet të vërtetë, të mbetet i njëjtë në thelb, i thellë, shpirtëror dhe unik.

Por në kohën moderne, në të ashtuquajturën epokë të informacionit, kjo marrëdhënie ka ndryshuar ndjeshëm. Sot informacioni nuk është më vetëm mjet njohjeje, por edhe instrument formësimi masiv. Të rinjtë, pavarësisht vendit ku jetojnë, po ekspozohen ndaj të njëjtave burime, të njëjtave modele dhe të njëjtave ndikime. Kjo ka sjellë një lloj uniformizimi të mendimit dhe sjelljes. Në vend të thellësisë, shpesh mbizotëron sipërfaqësorja; në vend të reflektimit, reagimi i menjëhershëm; në vend të shpirtërores, boshllëku i mbushur me stimuj të përkohshëm.

Kjo nuk ka ndodhur brenda natës. Është rezultat i një procesi të gjatë, të vazhdueshëm dhe të padukshëm, ku çdo informacion i marrë ka lënë gjurmën e vet. Çdo moment i kaluar duke “scroll”-uar, duke konsumuar përmbajtje pa filtër dhe pa reflektim, është në fakt një moment formësimi. Dhe ky formësim nuk është vetëm individual, por kolektiv. Ai ndikon në mënyrën si mendojmë, si ndiejmë dhe si ndërtojmë marrëdhëniet tona.

Në këtë kontekst, roli i edukimit bëhet edhe më i rëndësishëm. Shkolla dhe familja mbeten dy shtyllat kryesore që mund të balancojnë këtë ndikim. Ato nuk duhet vetëm të transmetojnë informacion, por të mësojnë si të përzgjidhet, si të kuptohet dhe si të përpunohet ai. Sepse problemi nuk qëndron te sasia e informacionit, por te cilësia dhe mënyra si ai përthithet.

Të nisur nga ngjarjet tragjike që shpesh tronditin shoqërinë tonë, është e pamundur të mos reflektojmë mbi burimin e shumë sjelljeve dhe qëndrimeve. Prandaj, mesazhi është i thjeshtë, por thelbësor: kujdesuni për informacionin që merrni. Ai nuk është thjesht diçka që kalon përmes jush – ai ju formëson. Formëson mënyrën si mendoni, si ndieni, si veproni.

Në fund, informacioni që zgjedhim sot, është njeriu që bëhemi nesër. Dhe jo vetëm kaq: është edhe shoqëria që ndërtojmë, qyteti ku jetojmë, vendi që përfaqësojmë dhe bota që u lëmë brezave që vijnë.

Leave a comment