
Në shtëpinë tonë është futur një krimb, por shtëpia është e madhe dhe krimbi i vogël. Ai kërkon, veç një dru të vogël për t’u ushqyer dhe unë pranoj sepse ndjej keqardhje. Nuk kam ndonjë dëshirë për këtë, por mendoj se çdokush meriton të ushqehet në këtë botë. Ky është parimi me të cilin jam rritur. Po krimbi a mendon njësoj? Kjo nuk ka rëndësi sepse krimbi është i vogël dhe unë i madh. Në çdo moment kur mendoj se ai kthehet në një kërcënim, mundem ta shtyp vetëm me një këmbë. Si përfundim e pranoj në shtëpinë time, sipas një kodi të vjetër të mikpritjes. Ai që pranohet brenda në shtëpi duhet t’i garantohet siguria qoftë edhe ndaj pjestarëve të tjerë të familjes. Herë- herë kam patur grindje me ta sepse nuk e duronin dot zhurmën që bënte sa herë ushqehej me drurin e shtëpisë. I kundërshtoja me forcë sidomos për mënyrën sesi e trajtonin, gati sikur tek ai të shihnin rrezikun, por ai në sytë e mi ishte krejt i padëmshëm. Një ditë prej ditësh, krimbi qe futur në dollapin e vëllait tim për t’u ushqyer dhe këtë herë diçka brenda meje ndryshoi. U ndjeva i fyer, krimbi kishte shkelur kodin e mikpritjes, ai po ushqehej përtej atyre që unë mundja t’i ofroja. Mirëpo diçka tepër e çuditshme po ndodhte. Vëllai, i cili ndjente urrejtje, tani u duk se ndërroi krejtësisht sjellje. Tani ishte ai që e mori nën mbrojtje dhe sapo reagova, më kërkoi të mos ndërhyja sepse nuk kisha më asnjë të drejtë mbi të, tani ishte në pronën e tij. Një ditë më tha: ku është respekti, mirëkuptimi dhe toleranca vëllazërore ndaj zgjedhjes sime? Prej asaj dite, diçka na ndau në thelb edhe pse jo në dukje. Gjithçka vijonte si më parë, e megjithatë asgjë nuk ishte më si mëparë. Sjelljet dhe dashuria vëllazërore po ndryshonin dhe kjo kishte dalë prej kontrollit tonë. Dukej sikur dikush tjetër mund të vendoste mbi këtë dhe ai ishte ai krimbi i vogël dhe i “padëmshëm”. Mënyra e tij e të menduarit dhe të kuptuarit po ndryshonte. Ky ndryshim po përfshinte pak e nga pak të tërë ata që ndodheshin në shtëpi.

Krimbi kishte kaluar në një tjetër mobilje, por sërisht nuk munda të flisja, nuk mundesha t’i paralajmëroja për rrezikun që mesa duket e shihja vetëm unë në atë shtëpi. Një rrezik që as mund të ndjehej e as të shihej, e megjithatë unë arrija ta shihja atë sepse ndoshta kishte thyer kodin e shenjtë të mikpritjes, ama të tjerët këtë nuk arrinin ta kuptonin sepse isha unë që e kisha futur në atë shtëpi dhe tani po përpiqesha ta nxirrja jashtë sapo kaloi nën mbrojtjen e të tjerëve. Qenka me shumë rëndësi momenti i parë kur i hap portën dikujt. Në atë moment duhet kuptuar se cili është me të drejtën dhe cili gabon, sepse më pas çdo gjë e humbet kuptimin e saj. Nuk munda të ndërhyja sepse në sytë e familjes unë e bëja këtë për inat personal. Heshta dhe me keqardhje i lashë rrugë “tolerancës”, ndërsa krimbi rritej çdo ditë e bëhej më i fuqishëm. Vëllai im u afeksionua aq shumë, sikur të ishte një kafshëz shtëpiake dhe sa më shumë që pjestarët e tjerë e kritikonin, aq më shumë i dilte në mbrojtje atij. Kjo ndarje, e cila po thellohej, po përfshinte edhe pjestarët e tjerë. Ata më shihnin tani si dikush i rreshtuar në anën e gabuar dhe ca nga ca të gjithë të tjerët ishin në anën e vëllait tim. Për ta bërë këtë sa më të dukshme, ata kishin filluar të visheshin ndryshe nga mua. Një veshje disi e pakuptimtë që nuk dihej se nga vinte, por që ata e kishin përqafuar dhe e zbatonin në mënyrë tepër rigoroze, sikur ajo për të cilën ata besonin të varej pikërisht nga ky rigorozitet. Mesa duket ndarja krijon edhe “bashkime” më të vogla, që edhe pse janë të bëra në mënyrë artificiale e mbajnë me forcë këtë unitet. Për ta bërë të mundur këtë nevojitet një lloj “inati” nëse mund të shprehemi kështu, që i vendos përballë njëri- tjetrit dy palët duke krijuar dy pole të mirë përcaktuar. Njëra palë që nuk e sheh përçarjen si diçka të dëmshme por që dobëson unitetin. Mirëpo krimbi nuk do t’ja dijë atë çfarë shkakton brenda një shtëpie dhe familje për aq kohë sa ai vazhdon të ushqehet me resurset e saja. Ajo shtëpi që përballet me zënkat e familjarëve, nuk do ta ketë kurrë më begatinë e dikurshme. Krimbi, shkaktari i gjithë kësaj, nuk ka ndërgjegje sepse kjo është gjithçka ai di të bëjë, të ushqehet me drurin e mobiljeve të një shtëpie. Vitet kaluan dhe mosmarrëveshjet shtoheshin, tani shumica e banorëve në shtëpi, kishin kaluar në anën e vëllait dhe mendonin se të gjitha këto të këqija, po ndodhnin për fajin tim. Çdo gjë shkonte keq e më keq dhe se nuk punohej më si më parë, ndërkohë mobiljet në shtëpi kishin nisur të zhdukeshin një e nga një. Shtëpia rrënohej çdo ditë dhe rrezikohej të kthehej e pabanueshme nëse njerëzit në vend se të zgjidhnin ta riparonin atë, largoheshin për të punuar diku tjetër duke menduar një të ardhme më të mirë. Situata po bëhej e mjerueshme në shtëpia edhe për vetë njerëzit brenda. Tani nuk njiheshin më, për ata që dikur kishin qenë, por për disa mjeranë të pashpresë me sytë nga qielli. Ajo shtëpi e madhe e kishte humbur madhështinë dhe shkëlqimin e dikurshëm, me të cilën dikur dallohej prej shtëpive përreth.

Krimbi dikur i vogël dhe që për hir të mbijetesës kishte kërkuar vetëm një copë të vogël druri, tashmë nuk ngopej më dhe kishte nisur të ushqehej me trarët e shtëpisë. Tani nuk mundesha më të heshtja për hir të vëllazërisë, sepse nëse ajo shtëpi shembej edhe vëllazëria bëhej e pavlerë. Kjo gjë nevojitej të bëhej sa më e qartë, qoftë edhe duke treguar një vendosmëri të hekurt. Rreziku ishte i qartë e megjithatë në përpjekjen për shpëtimin e shtëpisë qëndronte edhe rreziku i shembjes përfundimtare të saj. Tani e kuptonte qëllimin e vërtetë të krimbit, i cili nuk ishte ushqimi me drurin e shijshëm, por vetë shkatërrimi i saj. Disa pyetje lindin gjatë përgatitjes në përballjen më të madhe që ajo shtëpi fisnike kishte hasur në shekuj. A duhet të tregojmë kujdes edhe prej “virtyteve” tona, sepse armiku mundet të gjej aty çelësin e fitores? A duhet ta njohim më parë atë ç’ka mirëpresim në shtëpi duke e marrë nën mbrojtjen tonë?
Më pëlqeu, e lexova buzagaz.
Ka vend për meditim dhe mund të zbatohet në shumë fusha!
LikeLiked by 1 person