Përshtatja

Nisim të përshtatemi me veten dhe vetja me botën sepse kështu duhet të jetë dhe vetëm në këtë mënyrë mundemi të funksionojmë në shoqëri. Përshtatemi me rregulla të cilat nuk i kemi provuar kurrë në vërtetësinë e tyre, por thjesht i kemi pranuar ato si të dobishme. Përshtatemi si mënyrë për t’u socializuar me të tjerë, si shkallë që duhen ngjitur deri sa ne të mundemi dhe ja atëherë kur të na shfaqet pamundësia për të bërë më shumë, ai do të jetë edhe vendi ynë, në familje, në punë, në shoqëri e kudo. Mjaft që të provojmë alternative e tentativa dhe të shfrytëzojmë çdo potencial tonin apo rrethanat që na paraqiten. Është dëshira dhe qëllimi motori ynë për t’u ngjitur lart dhe për këtë lipset të jemi të përkulshëm, të bëjmë kompromise sepse aty është forca jonë dhe ai që do të mund t’i zotërojë ato është më i forti. Nisim t’i përshtatemi suksesit, të marrim formë dhe t’i ngjajmë një modeli të suksesshëm, të cilin nuk e kemi provuar kurrë në vërtetësinë e tij, sepse dikush tjetër mund të gjendet në vendin tonë nëse nuk nxitojmë. Përshtasim mendimet tona, bile deri tek krijimet tona, ato të cilat na takojnë vetëm ne. E megjithatë, nëse kërkojmë suksesin, atëherë duhet të përshtatemi dhe t’i përngjajmë sa më shumë dikujt, që ka patur sukses më parë. Shohim se të sjellurit në këtë mënyrë vlerësohet nga shoqëria dhe ka përfitimet e saja. Bëhemi më të sigurtë në vetë sepse kemi ngjitur disa shkallë dhe kjo do të thotë se po lëvizim në drejtimin e duhur. Tani mundemi të shohim të tjerët nga lartë (ata me të cilët kemi qenë bashkë dikur) dhe nga poshtë ata persona me të cilët dëshirojmë të jemi. Çdo ditë është një betejë e re, një përvojë apo një dije më shumë, një mjet të cilin do ta përdorim në rrugëtimin tonë për të mbrritur diku dhe më në fund të themi “ja dola”. Me kalimin e kohës, fillojmë të ndjehemi më të sigurtë, më të zotë dhe kështu japim këshilla për ata që ngjajnë si kopjet tona të vjetra, ashtu siç ishim dikur kur dëshironim një ndihmë sado të vogël për të na treguar rrugën që duhet të ndiqnim. I ndihmojmë ata, jo sepse kemi dëshirë që ai të ecë, por sepse në këtë mënyrë i provojmë vetes se e kemi kaluar atë fazë. Një lloj kënaqësie vetpërmbushëse sepse më në fund nuk jemi ata që ishim dikur. Një dëshirë për t’iu shmangur vetes, megjithëse nuk e njohim plotësisht, për të përqafuar dikë, të cilin e kemi parë vetëm si një model në vitrinën e ndonjë dyqani, ku një shoku ynë kish hyrë më parë. Në çdo shkallë që ne ngjisim, suksesi ynë shtohet dhe sëbashku me të shtohet edhe vlerësimi nga njerëzit dhe parave në bankë. Nis të përmirësohet “cilësia” e shoqërisë që tashmë frekuentojmë, me të “ngjashmit” tanë të rinj. Në përpjekje për të mbrritur në majë, ka shumë mundësi të mbetemi në vend, thjesht sepse nuk mundemi më të bëjmë përpara. Deri aty forcat tona mundën të na shoqëronin dhe tani me këtë pamundësi, nis të ndjehet një mendim negative për veten dhe për çdo gjë që na rrethon. Kuptojmë se kemi humbur shumë gjëra me vlerë dhe të pakthyeshme. Disa nga ne, të cilët do të ngjiten më lart akoma, do të përpiqen të rifitojnë edhe njëherë ato që dikur vetë ata i hodhën si të padobishme.
Por, a është e mundur kjo?
Disa të tjerë e kanë prekur suksesin dhe qëllimin e tyre, ndjehen tashmë të realizuar, por kjo në vend se t’i dhurojë lumturinë, i bën ata të ndjehen më bosh sesa në fillimin e këtij rrugëtimi. Çdo gjë që kanë, suksesi, fama, pozita shoqërore apo paraja e humbasin vlerën e tyre. Tani “gjithçkaja”, nuk vlen më shumë sesa “asgjëja” që kishin më parë. Disa nisin të treten dhe të ligështohen sapo fillojnë ta kuptojnë këtë. Njësoj si të ishin në një shtrat dhe sapo kanë marrë vesh lajmin se vuajnë nga një sëmundje tepër e rëndë dhe e pashërueshme. Disa të tjerë nisen të bëjnë udhëtimin në të kundërt dhe me gjithçka sa zotërojnë gati për t’i shpenzuar vetëm që të mund të mbrrijnë në pikë e parë, kur sapo nisi ky rrugëtim.
Por a është e mundur kjo?
Bota në të cilën jetojmë, secili nga ne përpiqet të “shmang” qënien e tij duke u bërë diçka tjetër, por kjo është një ikje prej vetes. Secili nga ne përpiqet të bëhet dikushi, modeli që na është dhënë në fëmijëri. Pa e provuar kurrë vërtetësinë  e <<të qenit dikush tjetër dhe ndryshe është më mirë>>. Askush nga ne nuk e ka çelësin për të hapur portën e lumturisë, por në të mirë apo të keqe ne mund të jemi vetvetja deri në fund, atë çka nuk mundet të ta jap pasuria, pozicioni shoqëror, suksesi, etj.
Të jesh vetvetja, është ndoshta plotësia, arritja (destinacioni) më e madhe e udhëtimit të jetës dhe vetëm kështu mundemi të jemi sa më të vërtetë përballë tjetrit. Në fund, përshtatja me veten, do të ishte edhe zgjedhja më e mirë.

One thought on “Përshtatja

Leave a reply to Noa Cancel reply