Djali i vogël me sytë si drita

Një djalë i vogël, nga ata që enden në rrugët e qytetit dhe se nuk dihet se nga vinë, futet në lokalin në të cilin jam ulur dhe po shkruaj. Afrohet në çdo tavolinë dhe ndalon aty ku sheh ndonjë fytyrë miqësore dhe e di se pas saj fshihet edhe “pagesa e vogël” për të. Të gjitha këto e kanë mësuar të jetë një njohës i mirë i gjesteve apo mimikave që për të janë fjalë të qarta. Afrohet tek tavolina ku ndodhem unë dhe buzëqesh sepse sheh buzëqeshjen time. Më mban mend nga hera e parë kur u takuam, në po të njëjtin lokal dhe në të njëjtin vend.

Jam i ulur në një nga lokalet me vetshërbim, me një tavolinë të madhe pune paksa të veçuar dhe nëse mund të mbash kufje mund të kthehet në një vend të mirë pune. Çdo ditë është e njëjtë me atë që shkoi, porosis një kafe dhe ulem të lexoj apo të shkruaj, por kjo varet sesi jam me humorin e frymëzimit. Të njëjtët persona pas banakut, pothuaj të njëjtët klientë, bile edhe muzika është e njëjtë në çdo ditë të javës. Në një nga ato ditë, porta e lokalit u hap më shpejt se zakonisht dhe një djalë i vogël që lëviz vrullshëm në lokal atë ditë, duke bërë një zhurmë me çdo gjë që i dilte përpara dhe duke e lëvizur sikur ato të ishin mall pa zot.

Ndalonte në çdo tavolinë duke i kërkuar njërëzve të ulur ndonjë monedhë nëse kishin e vete. Qëndronte tek ata deri në momentin kur merrte atë për të cilin kishte ardhur dhe largohej pasi bindej se këmbëngulja ishte e kotë. E ndjeva zhurmën e karrigeve që lëviznin të afrohej edhe më shumë. Më pa se po lexoja dhe ndoshta prej kësaj i dukesha pak më i “veçantë” nga të tjerët dhe ndoshta nuk e kishte sigurinë e tij të zakonshme. Më kërkoi edhe mua “pagesën”, për të cilën ishte i bindur se e meritonte. Unë i thashë jo dhe e pyeta përse mendonte se duhej t’ia jepja ato para. Nuk ktheu përgjigje e as nuk u largua, por kërkoi ujin në shishe dhe kjo për të mos humbur besimin në vete nga përballja me mua. Natyrisht që ia dhashë dhe sytë e tij shkëlqyen me një dritë mirësie dhe gazi, si të gjithë fëmijët e tjerë në moshën e tij. E kuriozoi libri që mbaja në dorë dhe e pa si të ishte ajo arsyeja e sjelljes sime ndryshe nga të tjerët. Sillej rrotull meje i shtyrë nga kurioziteti dhe ngacmonte librat që ndodheshin në raftet aty pranë. Pa i lexuar fare, i shfletonte me shpejtësi sikur kërkonte të provote ndjesinë që të jep mbajtja e një libri në dorë. Nisa t’i bëj disa pyetje rreth tij, se nga vinte, ku jetonte dhe përse dilte të kërkonte para të tjerëve. Si një diplomat dhe sërisht pa e humbur pafajësinë në sytë e tij, sigurisht që nuk më dha përgjigje. Pyesja veten sesi mund të ishte jeta e ti nëse do të mund të qëndronte më gjatë me librat? Sytë e tij stërpiknin xixa zgjuarsie dhe buzëqeshnin. Kush mund ta dijë se çfarë janë të aftë të bëjnë ata sy që qeshin në atë mënyrë? Ndenji edhe pak duke u sjellë, por tani më i qetë hidhte nga një vështrim të gjithëve. Rrëshqiste si fëmijët e kapur në faj e që nuk mund t’i zesh dot me dorë, e përshëndeta dhe ndaloi tek banaku ku vajza që ndodhej aty i dha diçka për të ngrënë dhe më pas doli jashtë.

Tani ja ku jemi sërisht përballë njëri-tjetrit. Shikimi i djalit të vogël është kurioz dhe njëkohësisht nuk është i drejtëpërdrejtë. Më përshëndet me një buzëqeshje që tregon se më mban mend nga hera e shkuar. Këtë herë ishte më i qetë dhe ndërsa merrte “pagesën” e tij në tavolinat që përshkonte, u afrua më pa dhe më foli: Ty nuk do të kërkoj asgjë. Sikur të donte të më tregonte se ai mësonte shpejt dhe ishte i zgjuar sa nuk nevojitej të përsëritej dy herë e njëjta gjë. Ishte shumë i gëzuar këtë herë, i bëra me shenjë të afrohej, i dhashë disa të vogla kësaj here dhe i thashë:

–  Ç’kemi?

Ai më pa me sytë plot dritë, i mori monedhat që i dhashë, i bashkoi ato me të tijat dhe foli.

  • Unë kam ditëlindjen nesër! Do blej një tortë, prandaj du t’i bëj lekët që sot.
  • Sa vjeç mbush?
  • Nëntë vjeç.

Nuk e di pse nuk e pyeta më gjatë, ndoshta sepse nuk do të doja të futesha më tepër në jetën e tij. Mesa duket kishim krijuar një marrëdhënie respekti dhe nuk doja ta prekja në dinjitet me pyetje që mund ta vinin në vështirësi. Si i rregulloi të gjitha monedhat, i futi sërisht në xhep dhe me gëzimin që infektonte këdo u largua.

I kaloi të gjitha tavolinat dhe sërisht ndaloi tek banaku për të marrë atë që “i takonte” dhe doli sërisht. E shoqërova me sy të gjithë rrugën që përshkoi derisa më humbi përtej turmës së njerëzve që nxitonte. E ecura e tij më vuri në mendime tek po kalonte rrugën dhe nisa të mendoj se si mund të ishte e ardhmja e tij. Sa bëjmë ne si shoqëri, për fëmijët apo për shoqërinë e “përjashtuar” në një mënyrë altruiste dhe jo egoiste? Tek a djalë unë pashë një mundësi, një histori e ndritur që nis me “po sikur . . .” por që kurrë nuk do t’i dimë sesi përfundojnë. Fëmijët janë e ardhmja, por këtu duhet të futen të gjithë fëmijët dhe jo vetëm ata që kanë prindër që mund të investojnë për ta. Shteti apo shoqëria a nuk duhet të punojë në rritjen dhe zhvillimin në muskuj të mirë edukuar të pjesës më vitale të saj? Pse jemi kaq indiferent për të ndihmuar apo edhe në rastet kur e bëjmë, e bëjmë si diçka “për ta hequr qafe”? Mendova se kudo ka njerëz që me shumë dëshirë do të donin të ndihmonin ata që janë në vështirësi, apo edhe të kujdeseshin për kafshët që ndodhen në rrugë. Njerëz që marrin kënaqësi duke bërë mirë dhe për ta do të mjaftonte vetëm një përkrahje dhe mbështetje financiare. Në këtë mënyrë mund të kontribuojmë tw gjithw për shoqërinë dhe ata njerëz që nuk duan të ndihmojnë personalisht, duhet ta bëjnë atë financiarisht, duke derdhur një kontribut fare të vogël mujor. Mua m’u desh një fëmijë i vogël, edhe pse nuk bën të njëjtën jetë si ne dhe që me buzëqeshjen e tij të më bënte të reflektoja për të kuptuar se ku jetojmë. Nuk mund të quhet shoqëri, ajo që nuk përpiqet të ndihmojë t’i bëjë të jenë pjesëmarrës dhe pa preferenca të gjithë sa banorët pa asnjë përjashtim. Të gjitha këto ndodhën, ndërkohë që lexoja.

Leave a comment