Analogji me tre kosha plehërash

Mëngjes, ditë e zakonshme me disa qese plehërash që duheshin hedhur në kosh. Në vendin që ishte caktuar, ishin vendosur tre kosha plehërash pranë njëri-tjetrit dhe jo dy siç kanë qenë vendosur kohë më parë. Ndoshta do më duhet ta kaloj këtë rast, njësoj siç bëjmë me çdo gjë në këtë vend, por nuk e di përse kësaj here nuk doja ta “kaloja”. Mendova për një çast sesi do të duhej të ishin. Tre kosha të ndarë: kanaçe metalike, plastikë dhe mbeturina organike, ku secili nga ne i hedh ato në vendin e duhur, të mbyllur në mënyrë që të mos ndotin ajrin. Kështu do të duhej të ishin, por për çfarë arsyeje nuk mund të jenë? Do më pëlqente të ishim si një nga ato vendet normale, ku kontakti i qytetarëve me kryetaren e bashkisë (sepse ne kemi kryetare) ose me stafin e saj të ishte krejt normal, nga ku mund të adresoheshin shqetësimet tona si qytetarë. Do të kishte qenë shumë e thjeshtë në këtë mënyrë, por përse vallë nuk ndodh? Një pyetje që do të kisha dashur t’i drejtoja stafit të bashkisë do të kishte qenë kjo. Përse sot janë tre kosha, apo mos ndoshta aq do të duheshin të ishin edhe dje? Ngjan me një pyetje budallaqe, por sepse më sjell ndërmend rastin kur një student, që sapo ka marrë detyrën e kursit dhe që në krye të herës ka gati zgjidhjen në mendjen e tij. Zgjidhja është e thjeshtë, lënia në dorë të rrethanave dhe atij do t’i mjaftonte të bënte, minimunim e domosdoshëm për të vënë ndërgjegjen në paqe. Një punë e bërë me nxitim, vetëm në ditët e fundit, kuptohet shumë mirë se me çfarë rezultati do të sjellë, por që mund të kthehet në diçka normale nëse profesori e “kalon”. Në momentin e përballjes, mbetet në dorën dhe ndërgjegjen e profesorit të gjykojë të gjitha parregullsitë, pasi studenti e ka bërë minimumin e domosdoshëm dhe tani mbetet në dorën e profesorit nëse do të bëhet i “mirë” apo i “keq”. Profesorët e rreptë janë ata që shihen me sy të keq nga studentët që përbëjnë edhe pjesa më e madhe në universitet. Pjesa tjetër e profesorëve “të pavendosur”, të cilët shkojnë sa andej këndej për të ruajtur disa ekuilibra të padukshëm. Ata kanë “zemër të mirë’’ dhe do ta kalojnë edhe kësaj here.

Tani le të përfytyrojmë këtë në çdo fushë të jetës. Nëse e shoh me këtë sy edhe vendosjen e koshave, do të mendoja se kryetarja e bashkisë ka potencial të ulët për atë pozicion që ka marrë përsipër dhe nuk mundet të vazhdojë me sjelljen prej një studenti të dobët. Me shprehjen “hajt ta kalojmë se gjynah” është fortësuar mendësia jonë e të bërit keq vetes. E kemi çuar vetë ne qytetarët situatën deri në këtë pikë sepse kemi në dorë të bëjmë vlerësimin kur vjen moment i dorëzimit të detyrës prej “një studenteje të dobët” në krye të bashkisë. Pothuaj çdo post i cili ka në dorë përmirësimin e jetesës sonë është katandisur në një student të dobët, i cili kërkon vetëm një “pesë për të kaluar rradhën” dhe kjo do të na kushtojë të paktën katër vite deri në vlerësimin e ardhshëm ku do të jemi duke thënë: çdo gjë është shkatërruar dhe kalbur në këtë vend duke marrë tatëpjetën, më mirë të ikim në një vend ku ligji dhe çdo gjë tjetër funksionon në mënyrën e duhur. Ky vend nuk do të bëhet ndonjëherë, vetëm nëse do të marrim drejtues gjermanë në postet drejtuese. Harrojmë ose ndoshta nuk e dimë se ata gjermanë të cilët i vlerësojmë aq shumë, kur ndodhen përpara një studenti dhe detyrës së tij, nuk zgjedhin të bëjnë një vlerësim “sa për të kaluar rradhën”, por i kushtojnë rëndësinë e duhur çdo detyre që kanë marrë përsipër. Përgjegjësia që rëndon mbi shpatullat e një njeriu, kushdo qoftë dhe në çfarëdo rrethane, nuk ka të bëjë direkt me të për të treguar sesa i aftë, i mirë apo çfarëdo cilësie tjetër, por është ai në raport me shoqërinë. Është njësoj si përgjegjësia që ka një prind në raport me fëmijët e tij, ku ajo që bën ai, ndikon drejt përsë drejti tek e ardhmja e fëmijëve të tij dhe rezultati i tyre do të përcaktojë  sesa i mirë ka qenë ai prind. Nëse pjesën më të madhe të vendit tonë e përbëjnë këta njerëz që ankohen se ky vend nuk do të bëhet ndonjëherë, përmban një të vërtetë të madhe brenda. Ata nuk e kanë kuptuar se janë ata, të cilët nuk e bëjnë punën e tyre me përgjegjësi, qofshin mësues, doktorë, gjykatës apo edhe një sportelist i thjeshtë, duke krijuar pakënaqësi në njerëz si një tenxhere me presion që pritet të shpërthejë. Nëse aspirojmë të jetojmë si në Gjermani, atëherë duhet të punojmë dhe të sillemi si të tillë duke e trajtuar shoqërinë sikur të ishin fëmijë mbi të cilët ke përgjegjësi dhe ndoshta kjo mund të jetë rruga e duhur për të ndërtuar një shtet.


@tingullpoezie

Leave a comment