Cikël me poezi


 
“Kam etje”
(Marrë nga thënia e nënë Terëzës)
 
1.
Ka diçka të njohur për sytë tanë
Edhe në vendin më të panjohur
A mos ndoshta i njoh prej tjetër kund?
 
Qielli është i ndryshëm çdo ditë
E sërisht i njëjti, si jashtë dhe brenda shpirtit tim
Kam menduar se mund t’i njoh njerëzit,
e megjithatë qe një përpjekje shterpë.
Çfarë tjetër mund të njoh në këtë univers të errët?
 
E kam nisur me “Njih vetveten”,
duke rendur pas teje, si flutura pas një luleje.
Zemër e panjohur përse më thërret?

Lugina, shkrepa, pemë dhe një lumë
Ëndrra fëmijësh brenda një çatie, syqiejve të tu
Tek ti mbështetet besimi im në zot.
 
2.
A mundet të ndryshojë vallë Besimi?
Njerëzit vazhdojnë të betohen mbi gurë
Në të kaluarën janë sakrifikuar
për të mbrojtur një virtyt, një ideal,
dikë të dashur, apo atdheun në rrezik.
sot ngjan krejt i pakuptimtë.
 
A e kemi ngritur ndonjëherë kokën lart?
A i kemi mbyllur ndonjëherë sytë fort?
A vlen më, që njeriu të vazhdojë të besojë?
Çdo gjë në botë ka dy pamjet e saja,
njësoj edhe njeriu i ndarë në dy grupe
Disa e shohin gotën gjysmë bosh,
e disa të tjerë gjysmë plot.
Është mendësia që e bën dallimin dhe jo sasia,
e cila deri në provën e kundërt, është e njëjtë.
Njeriu mundet të zgjedh,
në mbrojtjen e jetës me jetë,
apo të vritet duke vrarë të tjerë.
 
 
3.
Si një rrjedhë e qetë lumi, është besimi
Lëviz pa u ndjerë, thuajse nuk ndodhet aty
Në çastet e vështira, hedhim lule të bukura lutjeje
Në sytë tanë qëndrojnë veç disa çaste
Për të humbur, sikur t’mos kishin ekzistuar kurrë.
 
Si një rrjedhë e qetë lumi, është besimi
Ku tjetër mund ta gjejmë, nëse jo tek lutjet?
Copëzat e shpirtit, hedhur si lule,
Me shpresën se një ditë, do të bashkohen në det.
Lumi do të rrjedhë gjithnjë për ne
si një rrjedhë e qetë Besimi.
 
 
4.
Njeriu përpiqet të pastrohet, tek sheh
Ndjesitë e mbledhura, të derdhen si boja e një pene
Tek thahet në letër, shpirti i etur
Boja e tharë, nuk mundet ta bëjë pis letrën,
nga ku lexohet shpirti i pastruar prej rrëfimit të fundit.
 
Etje për poezi dhe për dashurinë e artë.
Ç’kuptim ka lutja nëse fjalët nuk prekin një tjetër shpirt?
Ç’kuptim ka falja, nëse nuk na dhurohet prej një shpirti të lënduar?
Etja, është dije që pluskon brenda nesh
Jeta, ngjan me ujin dhe trupi ynë është përplot me të
Besimi, është një bimë që rritet në shkretëtirë
Dashuria, diell i ngrohtë në dimër.
Të gjitha plotësojnë imazhin e perëndisë.
Në ktë botë krijuar në mundim, ndjej se Kam etje.
 
Një çast i pafund hyjnie
Sytë e qelqtë të qiellit më të kaltër
Thyen brenda meje, dritën e ylbertë
Rrodhi në pikat e ujit më të kthjelltë
në honet e thella oqeanie.
U thyen të qeltat sytë e tu
Kristale ëndrrash dashurie
Në ato dritare u përvodha për tek ti
Akuj të shkruar pa formë
Të preknin qiell e det, njësoj
Vetëm në një çast të pafund hyjnie.

 
Statujë e thyer
Më buzëqeshi nga padituria, statujë e papërfunduar
U harrua gdhendësi, i paemër
Më buzëqeshi, statuja me shpirt të mermertë
Prej shpirtit t’lënduar, lindi landa,
U muros në vetmi si shikimi në statujën e thyer.
 
Statujë e thyer, nuk bën zë
Gjaku të rrjedh me shekujt
Dikur mbuluar me ngjyrën e bukur të mishtë,
Sot krejt i bardhë si guri.
 
Qytet i braktisur, në zemrën time
Nuk ka më statuja pritjesh
U zbut mermeri kthyer në qumësht
Bota m’u trand, nga një peshë kaq e rëndë.
 
Si nuk nxore zë kur të prenë hundë e dorë,
As kur ëndrrat e tua u bënë theror.
Në mermerin e qumësht zemër foshnjore, thyhet, çahet,
E për s’dyti ndahet, për t’u kthyer në art.
 
Pritje në bust, mermer i kthyer
Me hundë të thyer
E zemër të vyer.
Qytet i braktisur, ç’gjë tjetër të mbeti?
 
U thyen shtëpitë,
Pikëllimi i briti anijes
Boritë binin papushim
Në bregun e shkretuar gjer në amshim.
 
Statujë e thyer copash, pa këmbë, pa kokë,
në të thyerat copa qumështi që mungojnë
E strukur, në jetën e përtejme të artistit,
në shpirtin e mëkuar me gji, ti jeton.

Mbi supin tënd
(mbi supin e saj- F. Arapi)
Mbi supin tënd qëndronte një mall
Me sy të bardhë, lëkundej si valë
Bukuria, hijeshia, ishte vetë dashuria
I lartë sa një mal, më shihte më rrallë. 
 
Sot është pak e zbehtë, gjysëm hëna lart,
Të mbuluar në dritë, shikime sy ndër sy
gjysma tjetër, fshehtas ish kthyer në vëth
Mbi supin tënd, një dritë e argjënd.
 
Buzët e ëndërrta prehen aty
Mbi supin tënd, parajsa një lëkurë e bardhë
E gjithë bota ime mbështetet tek ty
Me sytë e një deti, Agu në të dalë. 
 
Aty ku mbrëmjeve zbulohem
Mbi supin tënd, Qielli tha më fal,
Si Atlasi qëndroj mbështetur
Zogjtë u larguan dhe buzëqeshja u ndal.
 
Mbi supin tënd, Era mallin e mbuloi me flokë
Trishtimi u këput si gjethe, sytë u ulën ngadalë
Fshehurazi lutet dashuria, në tempullin e lashtë
Mbi supin tënd, malli u shua pa fjalë.

Zanafilla
1.
Është thënë se ishte Eva,
ajo që e këputi mollën në pemë
Vetë ajo, ish një frut i bukur
Në kohën kur ende ishte një foshnje, fëmijë
I ngjante një sythi, një aguridheje.
 
Po roli i Adamit cili ishte?
Në kohën kur ende ishte foshnje, fëmijë
I ngjante një sythi, lule gjarpri.
Cili prej tyre e bëri  i pari hapin?
A e këputi shikimi i Adamit mollën,
Apo për të mos e lënë të kalbej,
e këputi Eva një çast më parë?
Kush e dha shenjën i pari?
 
Nuk dihej se në ç’anë ishte hedhur shikimi
Në cilat ngjarje zhyteshin mendimet 
Në zanafillë gjithçka ka mbetur enigmë,
vetëm fjala njihet
Si nisi dashuria, kur fjala fshihej në shpellë??!
 
A ndjehej ajo në ajër, kur njeriu i parë
Ende me instiktin e kafshës afrohej për të nuhatur shpirtin?
Largimi ishte një profeci e shkruar në gur,
por si mund të ndahesh në dashuri?!
 
Ajo që lindi, në dy copëza u nda
mbetën aty për një kohë të gjatë
Dikush u kthye sërisht tek pema e braktisur e dashurisë
I erdhi keq për copëzat e shpirtit dhe i mori të dyja.
 
2.
Dy njolla gjaku,
Copa e bardhë u nda, u ndy
Në sytë e penduar, ndriti loti
Prej një pikëzë trishtimi, u vra.
 
Dy njolla gjaku, mendimi u err
e humbi ai më pas në terr(u ter- u tha)
Grimcat e pluhurit, si gjilpëra shponin
Nxitonin të formonin një zemër në mermer.
 
Dy njolla gjaku, të kujt janë?
Njëra pikon të kuqen e diellit,
Bulëzat e tjetrës rrjedhin n’bardhësi.
 
Dy njolla gjaku, që (mishit) trupit e thirrën mëmë,
Ndërsa dhimbjen që mblidhte ushqim, e thirrën babë
Historia e tërë njerëzimit
Me dy njolla gjaku ashtu filloi.  
 
3.
Loti ndonjëherë zbret prej syrit
Si të ishte vetë zanafilla e jetës
Dashuria e parë, është ajo e Zotit në ditën e gjashtë
Si dhimbja foshnjore, për jetën që nis të thahet.
 
Loti ndonjëherë zbret prej syrit
Si poezia, kur vjen prej zërit të tjetërkujt
Si e qara e fëmijës, kur humb njërin prind
Si të ishte vetë zanafilla e jetës.
 
Loti ndonjëherë zbret prej syrit
Si pikëza e parë e lotit më të bardhë
Prej dashurisë, e cila më nuk jeton, por s’mundet as të vdes
Si melodia hyjnore e universit, në ditën e shtatë
Loti ndonjëherë zbret prej Zotit.

Leave a comment