
Andrei Tarkovsky është një regjisor rus i cili ka lënë një shenjë të fortë në historinë e kinemasë botërore. Lindi në fshatin e Zavrazhye në distriktin Yuryvetsky dhe studioi në Moskë, për ta mbyllur jetën jashtë vendit të tij shumë herët dhe në një mënyrë të mistershme(nuk do të flas për këtë). Mund të them se lindi si një artist rus për t’u kthyer në një artist të botës. Jam njohur krejt rastësisht me të, pasi qëlloi të dëgjoja në të njëjtën kohë nga dy njerëz të ndryshëm për të. Me pak skepticizëm nisa të shoh “Stalker”, filmin më të njohur të tij. Menjëherë e gjeta veten brenda tyre, akoma pa e kuptuar ngase vinte kjo. Filmat e tij sa më shumë t’i shohësh, aq më shumë porta zbulon për të hyrë më thellë brenda vetes. Filmat e tij janë kthyer në bashkëudhëtarët e mi për në rrugën drejt artit.

Emri im i artit është Andrea Tarka, kjo sepse jam vetpagëzuar prej regjisorit që aq shumë ka ndikuar me filmat e tij, por akoma më shumë për filozofinë dhe botën shpirtërore me të cilën i vesh ato. Që në krye të herës më dukej se e gjeja veten tek filmat e tij edhe pse nuk e kam kuptuar arsyen. Kjo ka ardhur në mënyrë të pandërgjegjshme, ndërsa të dhuron kënaqësi, njëkohësisht të bën çdo herë e më të kthjellët përsa i takon vetë jetës. Pak e ngjashme me muzikën që depërton tek ne dhe pa e kuptuar ndikimin e saj, nisim ta luajmë ditën e nesërme duke fërshëllyer. Është bërë bashkëudhëtar me mua në rrugën e sapo nisur të artit. Thonë se në art tërheqja duhet të jetë si dashuria me shikim të parë, nëse keni parasysh skenën e filmit “Pretty woman” në opera, njëjtë u ndjeva edhe unë tek shihja filmin “Stalker”. Nëse pjesës më të madhe të njerëzve mund t’u duket një film i ngadaltë dhe pa ritëm, mendoj se ajo është e qëllimshme dhe bëhet e nevojshme në mënyrë që të fitojmë kohë për të reflektuar mbi të. Njëjtë sikur të lexojmë një libër apo të ndodhemi përpara një pikture, ajo do kohë për t’u shijuar dhe kuptuar, ashtu edhe gjërat e rëndësishme për ne. Nuk është ngjarja apo skenari ai që na bën të kuptojmë diçka më shumë, por gjendja që krijohet nga shkrirja e tërë elementëve të përdorura prej tij në një. Në këtë moment njeriu mund të dallojë vërtetësinë e gjërave, ku çdo gjë e parëndësishme bie si të jetë një perde, e cila na ka penguar prej kaq kohësh. Në një nga intervistat e tij, ai do të shprehej se është agnostik, pra beson se sa më shumë njeriu i afrohet dijes dhe arsyes, aq më shumë i largohet së vërtetës. Sa e vërtetë mund të jetë kjo? Andrei Tarkovsky është cilësuar si poeti i kinemasë dhe ndoshta rastësia e solli të njihem me të në momentin kur po zbuloja poezinë. Filmat e tij janë një përjetim i një ëndrre apo i gjurmëve të mbetura nga fëmijëria. Përjetime të mbetura të pasqaruara, që për një artist si Tarkovsky tepër kurioz, do të ndërmarrë një rrugëtim invers drejt botës së tij. Ka disa momente kur, të paktën për aq sa mund të kuptoj, regjisori e merr fjalën dhe nis të flas herë herë me zërin e filozofit e me zërin e poetit të vënë në gojën e personazheve kryesorë. Ai rradhitet në mes të spektatorëve dhe ashtu si ne të mund ta ndjejë veten spektator, personazh dhe regjisor njëherësh. Në atë periudhë e kam patur të nevojshme të bëj një rrugëtim për të njohur më shumë veten. Të përqafoj një mënyrë jetese, ku njeriu i bën vend artit në përditshmërinë e tij dhe anasjelltas.
© 2022 Andrea Tarka (Të gjitha të drejtat janë të rezervuara)
Më ndiq në: @tingullpoezie