Stalker (Zona e Tarkovsky-t)

Filmi “Stalker” nis me prezantimin e hapësirave ku jetojnë, të cilat kanë një mungesë drite dhe ngjyrash. Jeta në përditshmërinë tonë thith elementët me të cilët rrethohemi, është një reflektim i tyre. Ndikohemi prej vendeve dhe njerëzve ku kalojmë pjesën më të madhe të ditëve. Që në krye të filmit vihet re mungesa e dritës, ose një ngjyrë e vetme (nëse mund të quhet e tillë), bakër i bërë pis, i cili vesh çdo gjë që të sheh syri. Tërheq vëmendjen “pisllëku”, i cili mbulon gjithçka, si të bëhej fjalë për një vend të “pajetueshëm”, e sërisht njeriu vazhdon të jetoj jetën e tij “normale”. Të duket se momentet e gëzueshme janë larguar njëherë e mirë dhe jeta kthehet në diçka të ngjashme me burgun e “Montekristos”, ku njeriu shpreson në dy gjëra: të arratiset ose të vdesë sa më shpejt. Shpresa e Tarkovsky-t shfaqet nëpërmjet të panjohurës, ishuj kujtimesh të fëmijërisë, të cilët rrinë në pritje të Odisesë tashmë të harruar. Stalker personazhi kryesor, duket se ngjet më shumë me regjisorin dhe në të njëjtën kohë më kompleksi në film. Ai është udhërrëfyesi i shpirtrave që dëshirojnë të shpëtohen, në rastin tonë të shkrimtarit dhe shkencëtarit. Megjithatë ai duket se e vuan më shumë realitetin dhe ndjen nevojën më shumë se të tjerët për të gjetur shpëtim. Stalkeri mbetet personazhi më kompleks i filmit, pikërisht sepse nuk mund të analizohet, por vetëm të ndjehet. Brenda tij ndodhet vetë regjisori, i padëshifrueshëm si vetë ëndrrat. Mesazhet që jepen janë pa formë, vetëm ndjesi, e megjithatë duket sikur janë më pranë të vërtetës. Andrei Tarkovsky në intervistat e tij shprehet se filmat e tij janë copëza ëndrrash apo kujtime të mbetura nga fëmijëria e tij, të cilat kanë mbetur të pakuptuara plotësisht prej tij. Në filmat e tij, shfaqet plotësisht, gati-gati lakuriq dhe flet për gjëra, të cilat ashtu si shikuesi përpiqet edhe ai vetë t’i kuptoj.

Njerëzit e kërkojnë të vërtetën, por ajo ndryshon pamje duke humbur sërisht, ndoshta sepse ajo nuk i përket askujt dhe duke u përpjekur ta bëjnë të tyren, ajo largohet. Besimi në Zot na afron më shumë me të, njësoj siç ndodh edhe me ëndrrat, dashurinë, artin dhe të gjitha ato gjëra, të cilat duart e “materies” nuk arrin t’i prekin. Në këtë kërkim bën pjesë edhe vetë Tarkovsky, i vënë në kërkim të “Zonës”. Çdo njeri ndjen në momente të caktuara se ndodhet në një vend të paqtë, kudo që të ndodhet në tokë buron nga një vend i shpirtit. Aty ndodhet i vetëm, jeta në “realitet” s’mundet ta cik, e pazëshme njësoj siç përshkruhet në film, i paarritshëm nga valët apo influenca të tjera. Duke qenë se është një “Zonë”, rrethohet nga caqet e realitetit, të cilat e rrezikojnë në çdo kohë atë.

“These are intangibles, where the moment you name them”[1]. (Këto janë të paprekshme, prej momentit kur i vë një emër.)[2]

Pra një “arratisje” prej jetës ku jetojmë. Në skenën e parë vihet re kjo gjë, Stalker përpiqet të ngrihet nga shtrati, ku fle sëbashku me gruan dhe vajzën e tij të “veçantë” të prekur prej Zonës. Pengesat për të mbërritur tek Zona janë ato gjëra që na lidhin me realitetin. Gruaja e tij e ndjen largimin e tij dhe duke i renditur të gjitha detyrimet që kishte në lidhje me të dhe vajzën e tij, përpiqet ta pengoj atë.

Pra njësoj siç u shprehëm për të vërtetën, ai vend brenda nesh duhet të jetë i fshehtë, i pazëshëm, i padukshëm dhe në momentin kur ndryshon, atëherë ajo humbet. Ka një ngjashmëri kjo ikje fshehurazi e tij, me atë që bëjmë ne të gjithë në jetën reale sikur të kërkonim të largoheshim nga përditshmëria mbytëse për të kërkuar një vend paqeje. Njësoj siç bën Stalker për në zonën e tij. Më bën përshtypje pisllëku që mbulon gjithçka, duke e bërë të pajetueshëm për syrin e pamësuar, e sërisht njerëzit jetojnë, jetën “normale” të tyre.

Dy shoqëruesit e tij në kërkimin e tyre të “Zonës”, ku njëri është një shkrimtar i mbetur pa frymëzim dhe tjetri një shkencëtar, i cili duket më i vështirë për të kuptuar  arsyen përse zgjedh të kërkoj “Zonën”. Mendoj se ata nuk janë aty rastësisht për të shoqëruar Stalker në këtë rrugëtim. Ndoshta Tarkovsky kërkon të na tregoj dy fushat me të cilat ai përpiqet të zbuloj të vërtetën dhe sëbashku me Stalker, që për mua personifikon ëndrrën dhe të pandërgjegjshmen, e cila ndodhet brenda çdo njeriu. Shkrimtari është personazhi, i cili mbart veset tek njeriu, Egon e tij, që përpiqet të thithë sa më shumë nga lëngu i jetës, derisa thahet në fund dhe sërisht i shtyrë nga etja për ta kërkuar diku tjetër atë. Figura e tij është plot kontradikta, ai ka çdo gjë që një njeri do dëshironte, por duket se i mungon esenca për ta plotësuar këtë. Atij i mungon frymëzimi për të krijuar, për të vazhduar të jetë një shkrimtar i suksesshëm.

Shkencëtari është misterioz dhe mosbesues, njëjtë si shkenca kundrejt Dijes dhe të Vërtetës. Në fundin e filmit ai do të përpiqet të shkatërroj Zonën me një bombë 20 kiloton. Bile për këtë veprim ai është i bindur se po shpëton njerëzimin prej bombës duke e shkatërruar atë sëbashku me një vend të kotë siç është për të Zona. Këta personazhe janë brenda Tarkovsky-t, po aq janë universal, brenda secilit prej nesh si pengesa të vockla për të qenë ata që jemi.

Me të mbërritur atje, shenja e parë që vunë re se diçka kishte ndryshuar, ishte momenti kur njëri prej tyre thotë: “The flowers have no scent”(Lulet nuk kanë aromë). Çdo gjë që na është mësuar mbi jetën në tokë, tek Zona, ajo bëhet e pavlerë, në mos e kundërta është e vërtetë.

Ngurtësia dhe fortësia janë bashkëudhëtare të vdekjes, ndërsa përkulshmëria dhe butësia janë mishërimi i jetës.(e gjeni këtu)

“Your most cherished desire will come true here. Your sincerest wish, the desire that has made you suffers most.”(Dëshira më e dashur do të realizohet këtu. Më e sinqerta ëndërr, ajo që ju ka bërë të vuani më shumë.)

Nuk është nevoja të flasësh. Duhet vetëm . . . përqendrohu dhe kujto të gjithë të kaluarën tënde. Kur dikush mendon për të kaluarën, bëhet më i dashur. Por ç’ka është më e rëndësishme, duhet të besosh. Tani shko.(e gjeni këtu)

A nuk kemi të gjithë ndonjë dëshirë apo ëndërr në sirtar, të cilën e mbajmë të fshehtë, e duam edhe pse herë-herë na bën të vuajmë? A nuk kemi një Zonë të gjithë ne, me të cilën i japim jetë dëshirës apo ëndrrës sonë, në momentin e krijimit? Ajo Zonë mundet, që për disa të jetë vetë Arti. Sipas Andrei Tarkovsky-t, e kaluara na bën njerëz më të mirë dhe nga ajo mundet të lindë diçka e re dhe e bukur, por për këtë duhet besimi.

Mungesa e egoizmit në Art. Le të marrim muzikën, si ajo më pak e lidhura me realitetin, ose nëse është, atëherë është e lirë prej çdo ideje. Është thjeshtësisht një tingull bosh pa përkatësi. Sidoqoftë, muzika mrekullisht tejshkon qendrën e shpirtit tuaj. Cili tel i përgjigjet harmonisë së tij, për ta transformuar më pas në një burim kënaqësie? Të lidhur në bashkim dhe të ç’lidhur në shkatërrim. Pse është e gjitha kjo kaq e rëndësishme? Ju do t’përgjigjeni: Për asnjë arsye. Jo, dyshoj të jetë kjo. Mbi gjithçka, në fund, merr një kuptim. Një kuptim dhe një arsye.(e gjeni këtu)

Për mua Arti është besim, mbi hyjnoren dhe shpirtëroren duke na afruar më shumë me Zotin. Ego mungon në Art, sepse krijimi bëhet për shpëtimin e shpirtit tënd dhe se ai duhet t’i dhurohet të tjerëve. Arti është një lutje, pastrim i shpirtit prej helmimeve të së kaluarës dhe ashtu siç shprehet për Artin dhe muzikën, hyjnorja tejshkon trup e shpirt duke e dridhur atë nën frekuencën e saj.

Një nga dilemat ekzistenciale na vjen pikërisht nga personazhi, i cili mbart në vete më shumë vese. Ai dyshon më shumë rreth vetes dhe gjërave që e rrethojnë, të gjitha ato që lidhen me Egon e njeriut. Shkrimtari na sjell këto fjalë: Punon me trup e shpirt në punën tënde, dhe ata të përpinë gjithçka, madje edhe pisllëkun e mbetjeve në shpirt. Janë të gjithë të specializuar, në grykësinë e orekseve të tyre. Ata grupohen në krah të gazetarëve, editorëve, kritikëve, grave të një rrethi të caktuar. Të gjithë pretendojnë më zë të fuqishëm për më shumë. Çfarë lloj shkrimtari jam unë, nëse urrej të shkruaj? Nëse për mua tashmë është një torturë, një dhimbje, më vjen ndot nga ky profesion, diçka e ngjashme me hemorroidet. Gjithmonë kam menduar se librat e mi do të ndihmonin në përmirësimin e njerëzve, por askujt nuk i nevojitem. Nëse vdes, në vetëm pak ditë do të gjejnë dikë tjetër për të përpirë. Kam dashur t’i ndryshoj ata, por ishin ata që më ndryshuan duke më bërë t’i përngjasoj imazhit të tyre. (e gjeni këtu)

Të qenit njeri normal, të bërit një jetë normale duket se nuk mjafton. Qytetërimi është si një makinë e madhe grirëse dhe teknologjia është shpejtësia me të cilën ajo na grin shpirtin tonë dhe me të ushqen trupat tanë. A mundet njeriu të vendos tërë energjinë në shërbim të asaj makine grirëse? Unë mendoj se të gjithë do thonim jo, por megjithatë ne vazhdojmë ta bëjmë atë siç kemi bërë shekuj me rradhë. Qytetërimi është një trup gjigand, i cili kërkon të ushqehet, njësoj si në përrallat me Kuçedra, të cilat ruajnë ndonjë thesar dhe për këtë kërkon sakrifikimin e djemve dhe vajzave më të mirë. A mundet njerëzimi ta mashtroj apo ta mund atë, apo të gjithë do të përfundojmë në gojën e tij/saj një ditë?

Poezi(e gjeni këtu):

Tani vera shkoi,

dhe mundet të mos ketë ardhur kurrë,

nën rrezet e diellit, është ngrohtë,

Megjithatë duhet të ketë diçka më shumë.

Gjithçka erdhi për të shkuar

Gjithë sa ra në pëllëmbën time,

Puthitur si gjethja me pesë gishta,

Megjithatë duhet të ketë diçka më shumë.

Asgjë e mirë nuk humbi

Asgjë e mirë nuk u kthye në bosh

Ndritin ato në dritën e qashtërt,

Megjithatë duhet të ketë diçka më shumë.

Jeta më mbështolli, krahëngrohtë,

Gjithsaherë i mbrojtur ndihesha

Fati më mbante lart në fluturim,

Megjithatë duhet të ketë diçka më shumë.

Asnjë gjethe apo degë nuk u dogj e as u thye,

E bardhë si drita që tejshkonte,

Nga xhamin e një ditëze,

Megjithatë duhet të ketë diçka më shumë.

Profesori i shkencës, i cili ka qëndruar në heshtje përgjatë gjithë rrugëtimit, tregon afër fundit të filmit qëllimin e ardhjes së tij tek Zona. Ai është i vendosur  dhe i bindur se shkatërrimi i Zonës është në të mirë të njerëzimit. Kjo “luftë” e tij, ngjet me luftën që prej kaq shekujsh shkenca udhëheq kundrejt besimit, duke e quajtur atë të panevojshme, bile me raste edhe të dëmshme. Nga të tre personazhet, i vetmi që e kundërshton këtë, është Stalker dhe ata që ai përfaqëson. I patundur në besimin e tij tek Zona, ku ai sheh shpresën dhe shpëtimin e tij, duke e shprehur këtë në një nga monologjet e tij.

“Nuk ka mbetur asgjë për njerëzit në tokë. Ky është vendi i vetëm ku mund të vini nëse çdo shpresë do të fiket. Do ju duhet të vini këtu, atëherë përse të shkatërroni shpresën (zonën)? Një stalkeri i është ndaluar të hyjë brenda në dhomë, sidomos për arsye egoiste, mjafton të kujtoni Porcupine. Po, jam një dështak. Asnjëherë nuk kam bërë, apo arritur ndonjë gjë këtu. Nuk kam për t’i dhënë asgjë gruas, nuk kam miq, por mos më lini pa atë që është e imja. Telat e gjembosur më morën gjithçka. Të gjithsa kam ndodhet këtu, tek zona. Lumturia, liria, dinjiteti, i ka kam të tëra këtu. Njerëzit që sjell, janë të palumtur njësoj si unë. Atyre nuk i ka mbetur asgjë, në të cilën të shpresojnë. Nuk ka një njeri që të mund t’i vij në ndihmë, por unë (dështaku) mundem. Një dështak mundet të ndihmoj! Unë derdh lot gëzimi sepse mundem t’i vij atyre në ndihmë. Nuk kërkoj asgjë më shumë.“(e gjeni këtu)

A nuk na ndodh të duam të afrojmë shpirtra, që si ne janë njësoj të palumtur? Tërhiqemi prej tyre pa e kuptuar përsenë, ndoshta sepse mundemi të jemi për ta shpresa që refuzon t’i braktisë. Mundemi të kthehemi në Stalker të njëri-tjetrit edhe sikur të jetë vetëm një shpresë e ëndërrt.

“They’re thinking to sell themselves cheap, how to get paid for every breath they take. They know, they were born to be “someone” to be an elite! They say you live, but once. How can such people believe in anything at all? Nobody believes. Not only those two. Nobody. Who shall I take there? Oh, Lord. The most terrible thing . . . is that nobody needs the Room and all my efforts are in vain. I’ll never will go there with anyone. His Wife– If you want, I’ll go with you. Do you want that? Do you think I’ve nothing to ask for? Burri- No. you mustn’t. His Wife– Why? Burri- No. What if you fail, too?” (Ata shpenzojnë orë të tëra, sesi të mund të shiten me një çmim sa më të mirë, si të paguhen për çdo frymë që nxjerrin. Dinë se janë lindur për të qenë “dikushi”, për të qenë elitë! Të thonë se jeton, por ndodh vetëm njëherë. Si mundet që këta persona të besojnë në diçka? Asnjë nuk beson dhe nuk e kam fjalën vetëm për ata të dy, asnjë. Kë duhet të shoqëroj në atë vend? Oh, Zot. Gjëja më e tmerrshme . . . është se askush nuk ka nevojë për dhomën dhe gjithë mundimet e mija shkojnë më kot. Nuk do të shoqëroj më askënd. Gruaja– Nëse dëshiron, do t’vi me ty. Mendon se po, apo se nuk kam ç’të kërkoj? Stalker– Jo, nuk duhet. Gruaja– Përse? Stalker– Po nëse do të dështoje edhe ti? )

Skena Stalker me gruan e tij, të bën përshtypje personazhi i tij dhe ndryshimi që pëson, nga njeriu që ishte i gatshëm të bëhej guidë për të ndihmuar të tjerët, të mbërrijnë tek Zona dhe tani si pasojë e pasigurisë që vetë ai ka dhe zhgënjimit të tepërt, shfryn kundrejt shkrimtarit dhe shkencëtarit. Dua t’i lidh personazhet me ato që mund të përfaqësoj për secilin prej nesh. Stalker nga njeriu gjithmonë i butë, i sjellshëm, plot shpresë, i cili dukej se arrinte të shihte qartë gjërat me shpresën se mund të ngjallte besimin brenda tyre. Pra shpirtërorja të mbizotëroj mbi materialen dhe duket sikur edhe përpjekjeve të mira mund t’i vijë fundi një ditë, pa arritur në fitoren finale. Këta njerëz (shkenca, krijuesit) kërkojnë të vlerësohen, të dallohen mbi të tjerët. Njerëz të tillë nuk besojnë në asgjë dhe kjo e dërgon Stalker-in në dëshpërim. Nëse as shkenca apo arti nuk munden të besojnë tek hyjnorja, atëherë kush mund ta bëjë? Në këtë pasigurinë e tij, e cila e torturon, ia trondit besimin dhe ashtu si njeriu sadopak nis të kthehet në egoist me frikën se edhe ai mund të sakrifikoj apo humbas. Andrei Tarkovsky mendoj se përpiqet të na tregoj natyrën njerëzore, e cila sado të jetë e lidhur me dijen, besimin, hyjnoren, asnjëherë nuk mundet të shpëtoj nga pasiguritë apo frika se mund të humbas gjërat e dashura për të. Të gjithë ne, pa përjashtim, i nënshtrohemi këtij rregulli. Tek Stalker e vëmë re në dialogun me gruan e tij, kur ajo i vetëofrohet për ta ndjekur sëbashku me vajzën për tek Zona dhe befas ai stepet dhe ia kthen: ti nuk mund të vish, sepse nëse do të dështosh edhe ti, atëherë çdo të bëhet me mua? Ata kanë një marrëdhënie të veçantë midis tyre, në dukje nuk janë shumë të lidhur me njëri-tjetrin, por sërisht diçka i pengon të qëndrojnë të ndarë. Në monologun e saj (e gjeni këtu)na shfaqet njëkohësisht gruaja universale që të gjithë njohim. Mbështetëse e burrit të saj dhe njëkohësisht shtylla e vërtetë e shtëpisë. Megjithatë forca e saj është një tjetër, ajo është e qartë për vështirësitë me të cilat përballen dhe përkundrejt të shoqit, i cili gjithnjë shoqërohet nga pasiguritë e tija, ajo ka fuqinë për t’i përballuar ato. Ndoshta sepse ka një prirje të bashkëjetoj me keqardhjen më të thellë në shpirt, pa e humbur për asnjë moment shpresën.

Vajza është personazhi më enigmatik, bota e saj e brendshme tepër e pasur, e cila duket sikur është mbledhur brenda dhe s’mundet të shprehet nga pamundësia e trupit. Në sytë e saj prej fëmije që refuzojnë të qeshin si gjithë fëmijët e tjerë. Ndonjëherë duket sikur njeriu paradoksalisht, sa më pak të mundet të flas më gjuhën e trupit, aq më shumë e bën atë me forcën e syve. Vajza është personazhi i vetëm, që Zonën e ka brenda, ndërsa të gjithë përpiqen ta mbërrijnë, në mënyrë aksidentale është e vetmja e prekur prej saj. Për ta bërë sa më të kuptueshme, regjisori e bën nëpërmjet fuqive të saj telepatike.

Poezi: (e gjeni këtu)

Sa i dua sytë e tu, moj mike

Në lojërat e tyre të zjarrta rrëzëllitëse

Kur i ngre, fshehtas fluturimthi

Si të ishte një rrufe e qiellit

Vetëtimthi zhduket vështrimi yt.

Por një joshje, josh akoma më shumë

Puthja e mallit, është ai momenti.

Kur drita përmes qepallave, në perëndim

Rrezen e fundit shndrin

Të marrën, të trishtueshmen flamë, të një dëshire.)

Ky film, ashtu si në përgjithësi të gjithë filmat e tij, nuk kërkon të kuptohet sepse ato janë si ëndrra, apo pikëpyetje të mbetura nga fëmijëria. Përpara filmit të gjithë jemi spektator, këtu nuk bën përjashtim as regjisori vetë. Në fund, mundem të them se akoma nuk e kam kuptuar se çfarë do të thotë Tarkovsky me Zonën. Megjithëse kam kuptuar dhe ndjerë në mënyrën time, por ama di që gjendet një Zonë dhe ndoshta do ta kërkojmë atë deri në frymën e fundit pa arritur dot ta gjejmë, apo të mos pranohemi brenda, kur të ndodhemi aty. Mundet, që ajo të na prekë vetë, nëse fati ynë do jetë i njëjtë me atë të vajzës së Stalkerit. Është me rëndësi se çfarë njeriu kërkon në jetë dhe akoma më e rëndësishme ajo, që mbetet pas gjurmëve që lemë.

Uroj të kënaqeni ndërsa e shihni, vetëm për kaq pak, do të thotë vërtetë shumë.

© 2022 Andrea Tarka (Të gjitha të drejtat janë të rezervuara)


[1] Teksti i pjerrët në thonjëza është frazë apo paragraf i marrë i pandryshuar nga filmi.

[2] Teksti i pjerrët në kllapa është përkthimi në shqip

One thought on “Stalker (Zona e Tarkovsky-t)

  1. Noa's avatar
    Noa says:

    Ky koment I filmit eshte shume interesant dhe jo vetem tregon vlerat e filmit dhe regjizorit, por cfare mund te nxjerrim nga vetja kur perplasemi me kësisoj “art”

    Liked by 1 person

Leave a comment